Sipas Kodit të Punës ,punëdhënësi dhe punëmarrësi, në kontratën e punës (me afat të caktuar ose të pacaktuar), mund të parashikojnë një kohë prove, gjatë ose në përfundim të së së cilës, vendosin për vazhdimësinë ose jo të marrëdhënies së punësimit .
Disa karakteristika të kohës së provës
- Koha e provës aplikohet edhe në kontratat me afat të caktuar edhe në kontratat me afat të pacaktuar,nenet 142 dhe 150 të Kodit të Punës .
- Nëse kontrata nuk shfuqizohet gjatë kohës së provës, kjo përfshihet në kohëzgjatjen e kontratës me afat të caktuar.
- Koha e provës nuk mund të parashikohet më shumë se një herë dhe për kryerjen e të njëjtës punë,kur ndërmjet palëve ka qenë lidhur një kontratë pune.
- Koha e provës nuk mund të jetë më e gjatë se 3 muaj. Ajo mund të shkurtohet ose të hiqet me marrëveshje mes palëve ose në kontratën kolektive.
- Kohëzgjatja e periudhës së provës njihet si vjetërsi në punë.
- Sejcila prej palëve mund ta ndërpresë kontratën gjatë kohës së provës me një njoftim paraprak 5(pesë)ditor. Kujdes,ky afat është i ndryshëm nga afatet e njoftimit që zbatohen për ndërprerjen e marrdhënies së punës pas përfundimit të kohës së provës.
Disa këshilla praktike për punëdhënësit
Për një zbatim sa më efikas të parashikimeve ligjore që lidhen me kohën e provës si dhe për të evituar penalitete për mosrespektim apo zbatim të gabuar të afateve të njoftimit ,për punëdhënësit këshillohet të parashikojnë ato në rregulloret e brendshme .
Kjo bën të mundur të shpjegohen në mënyrë të detajuar jo vetëm parashikimet ligjore që lidhen me kohën e provës, por edhe zbatimi në praktikë i tyre.
Disa nga pikat kyce ku duhet të bazohet kjo rregullore janë : parashikimi i periudhës së provës; hapat që ndiqen nga burimet njerëzore dhe menaxheri direkt i punonjësit në rastet e përfundimit të kontratës së punës gjatë periudhës tremujore të provës, respektimi i afatit 5 ditor të njoftimit, procedura e dorëzimit të punës nga punëmarrësi përgjatë këtij afati 5 ditor; rastet në të cilat nuk aplikohet periudha e provës si dhe afatet e njoftimit që parashikon ligji për rastet e përfundimit të marrëdhënieve të punës pas përfundimit të kohës së provës, etj.
Shënim sqarues:Sa më sipër është një informacion i përgjithshëm dhe praktik .Informacioni i këtij posti është i përgjithshëm, ai nuk është këshillim ligjor dhe nuk duhet trajtuar si i tillë.Informacioni ligjor i këtushëm duhet marrë ashtu sic është, pa asnjë përfaqësim apo garanci, të shprehur apo të nënkuptuar.Informacioni i këtushëm nuk krijon një mardhënie konsulence juridike apo marrdhënie avokat-klient. Employment Law Albania nuk mban përgjegjësi për pasojat e veprimeve që mund të kryeni apo vendimeve që mund të merrni duke u nisur nga ky postim. Nëse ju nevojitet këshillim ligjor na shkruani ne adresën e emailit:[email protected]