
Çfarë është leja prindërore
Me leje prindërore kuptohet leja e cila ju jepet nënave dhe baballarëve për një periudhë të caktuar pas përfundimit të lejes së lindjes që i takon nënës, për të mundësuar që prindërit e punësuar të kujdesen për fëmijën e tyre të sapolindur për një përiudhë kohe të caktuar.Leja prindërore jepet edhe për prindërit adoptues.
Cfarë parashikon ligji në Shqipëri për lejen prindërore
Kodi i Punës , neni 132/1 ka parashikuar të drejtat për leje prindërore .
Sipas këtij parashikimi ligjor prindërit kanë të drejtë të përfitojnë leje prindërore të papaguar për një përiudhë prej jo më pak se 4 muaj, derisa fëmija që kanë ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç. E drejta për të kërkuar lejen prindërore është individuale për secilin prind dhe nuk është e transferueshme, me përjashtim të rasteve kur njëri prind vdes.
Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Kohëzgjatja përcaktohet me marrëveshje me shkrim midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në rastin e birësimit të fëmijës, leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve, që nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush moshën 12 vjeç.
Sipas Ligjit per Sigurimet Shoqërore, neni 27 pika 7 e tij, të drejtën per të përfituar lejen e lindjes pas periudhës 63 ditore pas lindjes së fëmijës e ka edhe babai ose prindi birësues mashkull , në rast se nëna nuk përmbush kërkesat e ligjit të sigurimeve shoqërore ose dëshiron të mos përfitojë nga kjo e drejtë.
Për një zbatim sa më efikas të këtyre parashikimeve ligjore, për punëdhënësit këshillohet të reflektojnë ndryshimet përkatëse në rregulloret e brendshme si dhe të bëjnë të mundur që punonjësit të jenë të informuar mbi këto të drejta dhe mbi mënyrën e aplikimit për të përfituar nga këto të drejta.
Për punëmarrësit është e nevojshme të konsiderojnë se në rast se duan të përfitojnë nga kjo leje duhet të respektojnë një afat njoftimi paraprak prej 2 javësh me shkrim .Vlen të përmendet se Punëdhënësi rezervon të drejtën të shtyjë datën e fillimit të lejes prindërore për një periudhë prej 6 (gjashtë )muajsh për arsye të parashikuara në ligj.Në një rast të tillë punëdhënësi duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin brenda dy javëve mbi arsyet e kësaj shtyrjeje.
Shënim sqarues:Sa më sipër është një informacion i përgjithshëm dhe praktik .Informacioni i këtij posti është i përgjithshëm, ai nuk është këshillim ligjor dhe nuk duhet trajtuar si i tillë.Informacioni ligjor i këtushëm duhet marrë ashtu sic është, pa asnjë përfaqësim apo garanci, të shprehur apo të nënkuptuar.Informacioni i këtushëm nuk krijon një mardhënie konsulence juridike apo marrdhënie avokat-klient. Employment Law Albania nuk mban përgjegjësi për pasojat e veprimeve që mund të kryeni apo vendimeve që mund të merrni duke u nisur nga ky postim. Nëse ju nevojitet këshillim ligjor na shkruani ne adresën e emailit:[email protected]