SHËNDETI DHE SIGURIA NË PUNË -SHQIPËRI- COVID-19

28 Prilli është Dita Botërore e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë. Rëndësia e shëndetit dhe sigurisë  në punë është në cdo kohë e pamohueshme, por sot më shumë se kurrë , Shëndeti dhe Siguria në punë  janë bërë kriteret bazë mbi të cilat duhet të bëhet organizimi I përditshëm i punës dhe cdo aktiviteti që lidhet me të.

Në këtë dokument kam bërë një evidentim të përmbledhur të detyrimeve që ka punëdhënësi për të siguruar sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësit në punë, masat që ai merr nëpërmjet këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë , masat e reja të miratuara nga qeveria që duhet të zbatojnë punëdhënësit në situatën aktuale COVID-19 në Shqipëri, si dhe disa sygjerime për t’u konsideruar nga punëdhënësit në pjesën e fundit të këtij dokumenti.

Po cfarë është shëndeti dhe siguria në punë?

Shëndeti dhe siguria në punë janë masat që kanë për qëllim të garantojnë mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eliminimit të faktorëve që përbejnë rrezik, informimit, këshillimit , pjesëmarrjes se balancuar në përputhje me ligjiin të pjesëmarrësve nga punëdhënënsi dhe punëmarrësi.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë,Konventa Nr 155 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës “Për shëndetin dhe sigurinë në punë” e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2002,Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë dhe Ligji  nr. 10.237, datë 18.02.2010 “ Për sigurinë dhe shëndetin në punë” janë dokumentet bazë të cilat parashikojnë të drejtat që ka cdo punëmarrës për të pasur të garantuar shëndetin dhe sigurinë në punë.

Sipas legjislacionit shqiptar përgjegjësia për shëndetin dhe sigurinë në punë i takojnë punëdhënësit.

Kreu VIII i Kodit të Punës “Sigurimi dhe Mbrojtja e Shëndetit” përcakton shprehimisht masat që duhet të marrë punëdhënësi për sigurimin dhe mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punëmarrësit.

Konkretisht neni 40 “Masa të përgjithshme” parashikon se :1. Punëdhënësi detyrohet të kujdeset për higjienën e vendeve të punës. Punëdhënësi pasi konsultohet me punëmarrësit, duhet të marrë masat e nevojshme mbrojtëse kundër rreziqeve të veçanta që paraqesin substancat dhe agjentët helmues, makinat, transporti i peshave të rënda, ndotja e ajrit, zhurmat dhe dridhjet, si dhe rreziqeve në disa degë të ekonomisë, si ndërtim, xhenio civile, miniera dhe industri kimike. Punëdhënësi duhet të vendosë sinjale të dallueshme qartë në çdo vend pune, që paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve. 2. Kur natyra e punës paraqet rreziqe të veçanta për jetën dhe shëndetin e punëmarrësve, sipas pikës 1, të këtij neni, punëdhënësi organizon, me shpenzimet e tij, në mënyrë periodike, si dhe sipas këshillimit të mjekut të ndërmarrjes, vizita mjekësore profesionale dhe ekzaminime mjekësore shtesë të punëmarrësit, para marrjes në punë dhe gjatë marrëdhënies së punës. 3. Masat e veçanta të sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ligji Nr.10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”neni 4 i tij “Parashikime të përgjithshme për punëdhënësin”, parashikon shprehimisht  detyrimin e punëdhënësit për të siguruar mbrojtjen e punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë.

Në zbatim të këtij ligji janë nxjerrë një sërë VKM, nga të cilat vlen të përmendim VKM Nr.107, datë 9.2.2011 “Për përbërjen , rregullat e organizimit dhe të funksionimit të këshillit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit të punëmarrësve” dhe VKM Nr.108, datë 9.2.2011 “ Për aftësitë që duhet të plotësojnë punëmarrësit, personat dhe shërbimet e specializuara , që merren me cështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë”.

Këto VKM përcaktojnë shprehimisht detyrimin e Punëdhënësit për ngritjen e këshillave të shëndetit dhe sigurisë në punë, të cilat shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në  hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të  rreziqeve që burojnë nga puna.

Ligji dhe VKM përcaktojnë numrin e anëtarëve që duhet të kenë këshillat e shëndetit dhe sigurisë në punë,duke bërë ndarjen në grupe A, B, C dhe D, në varësi të numrit të punëmarrësve .

Kështu , në grupin A përfshihen subjektet me 51 deri 250 punëmarrës dhe për këto subjekte kesjilli I shëndetit dhe sigurisë në punë  duhet të ketë jo më pak se 3 përfaqësues punëmarrësish e 3 përfaqësues punëdhënësish; në grupin B përfshihen subjektet me 251 deri 500 punëmarrës dhe duhet të ketë jo më pak se 4 përfaqësues punëmarrësish e 4 përfaqësues punëdhënësish; në grupin C përfshihen subjektet me 501 deri 1500 punëmarrës dhe duhet të ketë jo më pak se 6 përfaqësues punëmarrësish e 6 përfaqësues punëdhënësish; në grupin D përfshihen subjektet me mbi 1500 punëmarrës dhe duhet të ketë jo më pak se 9 përfaqësues punëmarrësish e 9 përfaqësues punëdhënësish. Për ato subjekte, të cilat  kanë më pak se 50 punëmarrës, zgjidhet një  përfaqësues nga punëmarrësit  dhe punëdhënësi në këto ndërmarrje cakton përfaqësuesin e tij në këtë këshill ,kurse në  subjektet ku veprimtaria dhe proceset e punës kanë rrezikshmëri të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfaqësuesi zgjidhet pavarësisht nga numri i punëmarrësve.

Detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjeno- sanitare, të cilat duhet të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit, përvecse një kërkesë ligjore është domosdoshmëri për rikthimin në punë dhe vijimësinë sa më normale të aktivitetit të biznesit.

Një rol shumë të rëndësishëm ka mjeku i biznesit, ( nenit 23 të ligjit për shëndetin dhe sigurinë në punë “Shërbimi mjekësor i punës” dhe VKM përkatëse të dala në zbatim të ligjit).

Në kushtet kur Punëdhënësit u gjendën përballë një situate të paparashikuar, si rezultat i COVID-19, masa specifike u adoptuan nga qeveria,Ministria e Shendetit dhe Mbrojtjes Sociale .Sipas këtyre masave, konkretisht Urdhërit Nr 266 datë 21.04.2020 “Për përcaktimin e kategorive të bizneseve sipas niveleve të riskut dhe miratimin e protokolleve të masave higjieno-sanitare dhe distancimit social për parandalimin e përhapjes së COVID -19” u bë miratimi udhëzimit të përgjithshëm për masat që duhet të ndërmarrin bizneset për parandalimin e përhapjes së Covid 19 si dhe kategorizimi i bizneseve sipas niveleve të riskut duke u ndarë në kategori me risk të ulët (kodi jeshil), me risk të mesëm(kodi i verdhë) dhe me risk të lartë (kodi i kuq) duke adoptuar masa të vecanta për sejcilën prej këtyre  kategorive.

Udhëzuesi nr 395/2 datë 10.04.2020  i cili përmban rekomandime të përgjithshme për subjektet e biznesit që lejohen të ushtrojnë aktivitet , parashikon masat të cilat duhet të merren nga bizneset për reduktimin e përhapjes së infeksionit mes punonjësve , sigurimin e ambjentit të shëndetshëm në punë dhe vijimësinë normale të aktivitetit të biznesit.

Disa nga këto masa janë:

  • respektimi i distancës mes punonjësve (2 metra) organizimi i punës  dhe ambjenteve të punës në mënyrë të tillë që të bëhet i mundur respektimi i kësaj distance;
  • inkurajimi i punës online dhe orareve fleksibël të punës;
  • rregulla strikte të higjenës;
  • sigurimi në mënyrë të vazhdueshme i dizinfektantëve, sapunëve , maskave, dorezave etj;
  • vendosja e shenjave vizuale të dukshme në sipërfaqen e dyshemesë ,
  • afishimi në mënyrë sa më të dukshme I rregullores mbi tërësinë e masave për minimizimin e transmetimit të COVID-19;
  • vendosja e posterave të cilët inkurajojnë higjenën , të vendosura në hyrje të punës dhe në vende të dukshme.
  • punonjësit të mos përdorin pajisjet e punës të njeri-tjetrit ,etj;

Vlen të theksohet se këto masa  janë të detyrueshme për punëdhënësit dhe objekt kontrolli nga organet e administratës shtetërore të ngarkuara me detyrën e kontrollit dhe të zbatimit të tyre.

Disa sygjerime:

Për rastet kur punëmarrësit konsumojnë vaktin ushqimor në ambjentet e punës, punëdhënësi duhet të parashikojë  rregullat të posacme të higjienës,për t’i mbrojtur punëmarrësit nga infektim i mundshëm si pasojë e përdorimit të ambjenteve të përbashkëta.

Po kështu vendosja e posterave me udhëzime dhe ilustrime ,konsumimit i vaktit ushqimor me orare të caktuara dhe konform kërkesave për respektim distance, dezinfektimi i ambjentit përpara dhe pas cdo konsumimi të vaktit ushqimor janë të këshillueshme.

Për pajisjet me përdorim të përbashkët si printera, fotokopje etj, duhet të ketë rregulla të posacme për përdorimin dhe dezifenktimin e tyre përpara dhe pas përdorimit.

Të inkurajohet konsultimi dhe diskutimi për cështje të punës për aq sa është e mundur nëpërmjet formave online, dhe kur kjo nuk është e mundur të respektohen masat e higjenës në cdo ndërveprim me kolegë apo palë të treta.

Të trajtohen me kujdes të vecantë grupet e rrezikuara sipas përcaktimeve të Kreut VI”Grupet qe janë të ndjeshme ndaj rrezikut” Neni 31,në të cilin bëjnë pjesë  gratë shtatzëna ,të miturit dhe nënat me fëmijë në gji.

Gjithashtu në vëmendjen e punëdhënësit duhet të jenë të sëmurët kronikë dhe inkurajimi i tyre për të punuar online dhe me orare fleksibël.

fundmi, rregulloret e posacme dhe zbatimi i tyre nga strukturat ekzistuese të ngritura pranë cdo subjekti ,në zbatim edhe të ligjit për shëndetin dhe sigurinë në punë,janë shumë të vlefshme sidomos këto kohë.

Shënim:Informacioni i këtushëm është një interpretim i imi personal  ,ai nuk duhet marrë si një  këshillim ligjor dhe nuk duhet trajtuar si i tillë.Ky shkrim  duhet marrë ashtu sic është, pa asnjë përfaqësim apo garanci, të shprehur apo të nënkuptuar, dhe ai nuk krijon një marrëdhënie konsulence juridike dhe as  marrëdhënie avokat-klient. Employment Law Albania nuk mban përgjegjësi për pasojat e veprimeve që mund të kryeni apo vendimeve që mund të merrni duke u nisur nga ky shkrim. Nëse ju nevojitet këshillim ligjor na shkruani ne adresën e emailit:[email protected]

Share:
Follow by Email
Facebook
Twitter
Visit Us
Follow Me
LinkedIn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *