TELEPUNA DHE SI PO GJEN AJO ZBATIM NË KOHËT E COVID-19

Cili është përkufizimi ligjor i telepunës, a janë të qarta dhe të zbatueshme parashikimet ligjore të telepunës  për punëdhënësin dhe punëmarrësin dhe si kanë gjetur zbatim  ato në situatën aktuale?

Telepuna dhe puna nga shtëpi janë llojet e kontratave të punës të parashikuara  në nenin 15 të Kodit të Punës[1]. Me të drejtë, në këtë periudhë kur një pjesë e konsiderueshme e punëmarrësve po punojnë nga shtëpia , kjo mënyrë të punuari u  pa si zgjidhja më e mirë për të shmangur infektimin dhe përhapjen e Covid-19 në vendet e punës.

Kodi i Punës, neni 15(Puna në shtëpi dhe telepuna) në pikën 2 të tij,  përcakton shprehimisht se : “Me kontratën e telepunës punëmarrësi kryen punën e tij në shtëpi , ose në një vend tjetër , të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin , duke përdorur teknologjinë e informacionit , brenda kohës së punës , të përcaktuar nga punëmarrësi, sipas kushteve të rëna dakort prej tyre në kontratën e punës.

Duke pasur parasysh se telepuna në këtë periudhë po aplikohet gjerësisht   dhe  ajo u diktua nga Covid-19, përtej intepretimit thjesht formal të parashikimeve ligjore mbi telepunën dhe punën në shtëpi,mendoj se  e rëndësishme është që parashikimet e nenit 15,  të përshtaten  për aq sa është e mundshme  me situatën aktuale, sigurisht pa cënuar të drejtat thelbësore të punëmarrsve .

Kështu duke ju referuar nenit 15 paragrafi 3 i tij sipas të cilit : “3. Dispozitat e këtij Kodi zbatohen edhe për kontratat e punës, të përcaktuara në pikat 1 e 2(puna në shtëpi dhe telepuna), të këtij neni, me përjashtim të: a) dispozitave për rregullimin e kohës javore të punës dhe të pushimit, orët jashtë orarit, punën në ditët e festave zyrtare dhe punën e natës; b) dispozitave që rregullojnë të drejtën e kompensimit për vështirësi pune”  për punëmarrësin gjejnë zbatim të njejtat dispozita qe ai ka në kontratën e tij të punësimit, përsa i përket  edhe kohës javore të punës dhe pushimit , orët jashtë orarit si dhe  punës në ditët e festave .

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dispozitat që rregullojnë punën e natës apo dispozitat që rregullojnë të drejtën e kompensimit për vështirësi pune, duke pasur parasysh se kryesisht me telepunë po punojnë ata punëmarrës të cilët bëjnë  punë zyre me një orar fiks, punë e cila nuk kërkon prezencën fizike të punëmarrësit në vendin e punës dhe  mund të kryhet edhe nga shtëpia.

Përsa i përket intepretimit të pikës 4  të nenit 15 , në të cilën parashikohet se : “Kushtet e punës për punonjësit që punojnë në shtëpi ose në telepunë nuk mund të jenë më pak të favorshme, në krahasim me punëmarrësit e tjerë , të cilët kryejnë punë të njëjtë ose të krahasueshme”, përshtatur me situatën aktuale, me punë të njëjtë ose të krahasueshme konsiderohet puna që ka bërë punëmarrësi deri në momentin që ka nisur telepunën për arsye të diktuara Covid-19”.

Edhe këtu vlen të përmendim që parashikimet ligjore të këtij neni do të përshtaten për aq sa të jetë e mundur, p.sh nëse punëmarrësi ka punuar në një zyrë dhe tani po punon nga shtëpia në të tjera kushte aspak të ngjashme me ato të zyrës,  dhe diktuar nga kushtet aktuale  kjo nuk mund të konsiderohet si kusht më pak i favorshëm.

Karakteristikë tjetër e kësaj kontrate është edhe vënia në dispozicion epajisjeve kompjuterike,nga ana e punëdhënësit për punëmarrësin  për kryerjen e punës, ku me “vënie në dispozicion” ligji parashikon instalimin, mirëmbajtjen e pajisjeve kompjuterike, përvec rasteve kur punëmarrësi përdor pajisjet e tij”.

Nisur nga sa më sipër , si dhe duke pasur parasysh edhe nenin 18 të Kodit të Punës (Dispozita për kontratat e vecanta) në të cilin parashikohet se: “Këshilli i Ministrave  mund të parashikojë rregulla të vecanta që zbatohen për kontratën e punës në shtëpi dhe të telepunës”, punëdhënësi në mungesë të rregullave të vecanta , mund të përcaktojë shprehimisht në politikat ,rregulloret apo memo të brendshme qarkulluese për stafin,  një kategori rregullash bazë të zbatueshme për punën nga shtëpia për periudhën që do të zgjasë kjo gjendje.

Përcaktimi i këtyre rregullave të vecanta është i rëndësishëm përsa i përket vendosjes së pritshmërive që kanë palët punëdhënësi dhe punëmarrësi mbi afatet e kryerjes së punëve, përcaktimit të kanaleve të komunikimit me kolegët dhe eprorët, përcaktimit të udhëzimeve mbi respektimin e të drejtës së punëmarrësit për të pasur kohë të lirë në dispozicion për veten dhe familjen, këshilla tip praktike mbi ergonometrinë për punën në shtëpi të përshtatura sipas kushteve aktuale, raportime periodike mbi ecurine e punëve nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit elektronik si email, slack, zoom apo aplikacione të tjera qe përdor cdo punëdhënës për komunikim të brendshëm për aq sa këto janë të realizueshme nga ana teknologjike.

Një  pikë  jo më pak e rëndësishme për t’u parashikuar mbetet  shëndeti i punëmarrësit përsa i përket situatës Covid 19.Udhëzime të qarta të mbështëtura në rekomandimet dhe këshillat që jep Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik, Organizata Botërore e Shëndetsisë, mbi hapat që duhet të ndjekë punëmarrësi në rast se ai apo familjarë të tij rezultojnë me Covid-19 janë shumë të rëndësishme.

Dhe së fundmi nevojitet të zbatohet  neni 11/1 i Kodit të Punës “Mirëbesimi” në të cilin thuhet shprehimisht se :Gjatë ushtrimit të të drejtave dhe përmbushjes së detyrimeve, punëdhënësit, përfaqësuesit e punëdhënësve, punëmarrësit dhe përfaqësuesit e punëmarrësve duhet të udhëhiqen nga parimi i mirëbesimit, drejtësisë dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Ata informojnë njëri-tjetrin për të gjitha faktet, kushtet, si dhe ndryshimet e tyre, të cilat janë të rëndësishme për ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve”.

Shënim:Informacioni i këtushëm është një interpretim i imi personal  ,ai nuk duhet marrë si një  këshillim ligjor dhe nuk duhet trajtuar si i tillë.Ky shkrim  duhet marrë ashtu sic është, pa asnjë përfaqësim apo garanci, të shprehur apo të nënkuptuar, dhe ai nuk krijon një marrëdhënie konsulence juridike dhe as  marrëdhënie avokat-klient. Employment Law Albania nuk mban përgjegjësi për pasojat e veprimeve që mund të kryeni apo vendimeve që mund të merrni duke u nisur nga ky shkrim. Nëse ju nevojitet këshillim ligjor na shkruani ne adresën e emailit:[email protected]


[1]Ref: LIGJ Nr. 7961, datë 12.7.1995 KODI I PUNËS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (Ndryshuar me ligjet: nr. 8085, datë 13.3.1996; nr.9125, datë 29.7.2003; nr. 10 053, datë 29.12.2008; nr. 136/2015, datë 5.12.2015)

Share:
Follow by Email
Facebook
Twitter
Visit Us
Follow Me
LinkedIn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *