
Sot është dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara.
Diskriminimi në vendin e punës për shkak të aftësive të kufizuara është i ndaluar me ligj. Sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë “Ndalimi i Diskriminimit” në nenin 9 konkretisht në paragrafin 1 të këtij neni ,shprehimisht thuhet se: “Në ushtrimin e të drejtës për punësim dhe profesion, ndalohet çdo formë diskriminimi , e parashikuar në këtë Kod dhe në legjislacionin e posaçëm për mbrojtjen nga diskriminimi”. Në pikën 8 të po këtij neni parashikohet gjithashtu detyrimi që ka Punëdhënësi për të bërë përshtatjen e arsyeshme të vendit të punës për personat me aftësi të kufizuara duke bërë modifikime dhe rregullime të nevojshme dhe të përshtatshme.
Përtej parashikimeve ligjore, në praktikë dhe në jetën e përditshme , a jemi ne si shoqëri të orientuar drejt mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara? Çfarë mund të bëjnë më tepër këshillat e shëndetit dhe sigurisë në punë për të përshtatur vendet e punës në përputhje me nevojat që kanë grupet e ndjeshme ndaj rrezikut?
Theksojmë se në këtë grup, sipas Kreut VI (Grupet që janë të ndjeshme ndaj rrezikut) neni 31 të Ligjit Nr 10237 dt 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” në grupet e rrezikuara bëjnë pjesë gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji, të miturit dhe personat me aftësi të kufizuara . Këto kategori personash për shkak të gjendjes së tyre të veçantë janë të rrezikuar ndaj ekspozomit të agjentëve të rrezikshëm, proceseve ose kushteve të punës.