I dashur lexues i blogut Employment Law Albania,
Nëse je një Punëdhënës, të uroj suksese të mëtejshme në aktivitetin që ushtron dhe uroj të jemi gjendur pranë teje më këshillat tona ligjore praktike dhe të besueshme.
Nëse je një Punëmarrës ,të uroj realizime profesionale, dhe uroj që ky blog të të ketë dhënë informacione të vlefshme për aspektet ligjore të marrëdhënies së punësimit.
Nëse je ende në kërkim të një pune, apo dëshiron që këtë vit të bësh një ndryshim, të uroj që ky vit të të sjellë punën që ti dëshiron, dhe që nëpërmjet këtij blogu të jesh informuar mbi zgjedhjet që ke .(për më shumë lexo: http://blog.employmentlaw.al/udhezime-praktike-ligjore-mbi-punesimin-dhe-vetepunesimin/
Nëse keni pyetje apo paqartësi në lidhje me vazhdimësinë e marrëdhënies tuaj të punësimit , dhe keni nevojë për një këshillim profesional mos hezitoni të na kontaktoni në adresën: [email protected]
E ndërsa viti 2019 po përfundon ,po ndajmë me ju disa këshilla ligjore praktike dhe të besueshme.
1.-Kryerja e orëve shtesë
Natyrshëm,për nevoja të organizimit të punës dhe përballimit me sukses të fluksit të kërkesave të klientëve tuaj në këto ditë të fundit të vitit, mund të nevojitet që të punohet më shumë se në ditë të zakonshme .
Kontrolloni numrin e orëve shtesë të kryera nga punonjësit tuaj gjatë vitit 2019, dhe sigurohuni që të jetë sipas parashikimeve të vendosura në kontratën kolektive ose atë individuale.
Sipas Kodit të Punës , neni 90 paragrafi 1 i tij, numri maksimal i orëve shtesë të punës nuk duhet të jetë më shumë se 200 orë në vit, me përjashtim të rasteve kur për forcë madhore apo punë urgjente në dobi të popullsisë, lëshohet autorizim nga Inspektoriati i Punës.
2.-Shpërblimi mbi pagën në fund të vitit
Fundi i vitit, është koha më e mirë për të falenderuar punonjësit tuaj për punën e kryer, dhe për t’i bërë ata të ndjehen pjesë e sukseseve dhe arritjeve të kompanisë. Kjo mund të reflektohet në formën e promovimeve, bonusit mbi performancën sipas parashikimeve të politikave tuaja të brendshme , apo shpërblimit për arritjet e kompanisë.Neni 114 /1 i Kodit të Punës parashikon se: Nëse palët bien dakord, punëdhënësi i jep punëmarrësit një shpërblim të veçantë mbi pagë, në fund të vitit, duke marrë parasysh cilësinë e punës së tij ose mbarëvajtjen e ndërmarrjes.
3.-Ditët e festave zyrtare dhe pushimet vjetore
Sipas kalendarit të festave zyrtare që publikohet çdo vit në fletoren zyrtare , data 25 Dhjetor 2019 dhe data 1 dhe 2 Janar 2020 janë ditë pushimi zyrtare. Për punën e kryer në ditët e festave zyrtare ,Kodi i Punës ka parashikime të veçanta (neni 86, 87). Sigurohuni që punonjësit tuaj të kenë konsumuar pushimet vjetore të vitit 2019, ose t’i kryejnë ato, deri ne fund të tremujorit të parë të vitit 2020. Sipas Kodit të Punës, neni 93/3 pushimet vjetore, duhet të jepen gjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës. Pushimet vjetore nuk zëvendësohen me pagesë, me përjashtim të rastit kur punëmarrësi nuk i ka kryer ato për shkak të përfundimit të marrdhënies së punës.4.-Ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në legjislacion
Sigurohuni që të reflektoni në politikat, rregulloret, kontratat tuaja me punonjës (individuale dhe kolektive) apo partnerë biznesi të gjitha ndryshimet që mund të kenë ndodhur përgjatë ketij viti në legjislacion.5.- E fundit ,por jo më pak e rëndësishmja
Employment Law Albania Ju uron Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2020!
Shënim sqarues:Sa më sipër është një informacion i përgjithshëm dhe praktik .Informacioni i këtij posti është i përgjithshëm, ai nuk është këshillim ligjor dhe nuk duhet trajtuar si i tillë.Informacioni ligjor i këtushëm duhet marrë ashtu sic është, pa asnjë përfaqësim apo garanci, të shprehur apo të nënkuptuar.Informacioni i këtushëm nuk krijon një mardhënie konsulence juridike apo marrdhënie avokat-klient. Employment Law Albania nuk mban përgjegjësi për pasojat e veprimeve që mund të kryeni apo vendimeve që mund të merrni duke u nisur nga ky postim. Nëse ju nevojitet këshillim ligjor na shkruani ne adresën e emailit:[email protected]